“Në qoftë se dëshironi të dini si një qeveri terrorizon qytetarët e tij, shkoni në Shqipëri”. Një deklaratë e fortë në mbështetje të protestës së bujshme të kontrollorëve të Rinasit vjen nga ATCEUC, konfederata e sindikatave europiane të kontrollorëve të trafikut ajror.
Sipas deklaratës, “Qeveria shqiptare pasi injoroi një vit të drejtat e punëtorëve, tani po i sulmon ato”.
Sipas ATCEUC, “kontrollorët po vepronin në të drejtën e tyre, sipas Rregullores 2015/340, ndërkohë që tani disa janë në burg”.
ATCEUC i bën thirrje institucioneve europiane që të ngrenë vëmendjen ndaj situatës në Shqipëri, që sipas tyre “ është skualifikuar për çdo vend që aspiron të bëhet pjese e Bashkimit Europian, ku respektohen të drejtat e njeriut.
Jo vetëm, por konfederata paralajmëron që tashmë për shkak të konfliktit midis qeverisë dhe kontrollorëve, ka probleme sigurie të theksuara në sigurinë e hapësirës shtetërore shqiptare, dhe rekomandon “vëmendje të madhe” për pilotët që kalojnë në territorin tonë.
ATCEUC u krijua në 1989 dhe është e përbërë nga 32 sindikata që përfaqësojnë 14 mijë kontrollorë në Europë. (A2 Televizion)