Sindrit Guri nga Belgjika rikthehet te një ekip shqiptar, është Shkëndija

Nga A2 CNN
5 Shtator 2021, 12:34 | Futboll

Sindrit Guri rikthehet në një ekip shqiptar, pas eksperiencës me dritëhije në Belgjikë me Oostende.

Por ekipi nuk është një nga protagonistet e Kategorisë Superiore, si Kukësi që i dha famë shkodranit, por Shkëndija e Tetovës, që dëshiron të mbrojë titullin kampion në Maqedoninë e Veriut.

Tifozeria tetovarë u trondit ditë më parë nga largimi i Besart Ibrahimit, atij që vetë faqja zyrtare e kuqezinjve cilëson si “sulmuesi më i mirë i Shkëndijës i të gjitha kohërave”, me 147 gola nga viti 2015.

Një mision jo i lehtë për 27-vjeçarin shqiptar, ai i zëvendësimit të Ibrahimit, por edhe një mundësi për t’u rikthyer protagonist në fushë, pasi gjatë eksperiencës me Kukësin ai premtonte të ishte një nga pikat e referimit të Kombëtares.

Sindrit Guri me fanellën e Oostende

Probleme fizike dhe përshtatje nuk e kanë ndihmuar Gurin në Belgjikë, ku në 41 ndeshje në kampionat, rrallëherë si titullar,  ka realizuar vetëm 4 gola, 7 në total me ato në Kupën e Belgjikës dhe në Europa League. Por me aventurën e re në Maqedoni, ai shpreson rikthimin e formës.

“Kur e mësova se mund të vij në Shkëndijë, menjëherë më lindi dëshira që sa më shpejt të vij në Tetovë dhe të nënshkruaj. Jam tepër i lumtur që pas tre viteve përsëri kthehem në një ekip shqiptar, por edhe më i lumtur që i bashkëngjitëm një skuadre siç është Shkëndija, me gjithë armatën e tyre të tifozëve kuqezi”, ishin fjalët e para të sulmuesit shtatlartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos