
Sinjale pozitive vijnë nga Shkupi për zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit. Fryma e re që ekziston në Maqedoni të Veriut dhe Bullgari solli marrëveshjen e parë. Kryeministrat, Dimitar Kovaçevski dhe Kirill Petkov, u pajtuan në Shkup që Sofja të mos kontestojë shkurtimin “Maqedonia Veriore” duke i hapur rrugë ndoshta zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tjera dhe një kapitulli të ri të marrëdhënieve mes dyja vendeve fqinje.
“Sot u pajtuam se po hymë në një dinamikë të intensifikuar me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të hapura. Me zotin Petkov arritëm marrëveshje që Bullgaria të pranojë përdorimin e emrit të shkurtër Maqedonia Veriore, njëjtë sikurse edhe emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo nënkupton se Bullgaria nuk do ta pengojë emrin e shkurtër në ndonjë proces bilateral dhe për këtë ka njoftuar Kombet e Bashkuara”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Optimizëm pati edhe nga pala bullgare për zgjidhjen e çështjeve të hapura. “Çdo takim tani e tutje, do të caktohet me qëllime të qarta, rezultate të qarta dhe marrëdhënia miqësore nuk do të jetë vetëm në nivel politik, por edhe biznesor, etj. Atë që sot e arritëm është gjë reale. Kjo është një punë e përbashkët, do të kemi një dialog të ri konstruktiv dhe grupet mes vete do t’i specifikojnë gjërat. Sot jam një optimist i madh i aktiviteteve të përbashkëta dhe shpresoj se për secilën palë të ketë rezultate në kohë të shkurtër”, tha Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.
Vizita e kryeministrit Petkov përkon me 30-vjetorin e njohjes së Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë. Përveç marrëveshjes së rëndësishme, palët ranë dakord që më 25 janar të mbajnë një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive, për formimin e grupeve të punës që të merren me projekte konkrete dhe me ndërtimin e marrëdhënieve më të mira mes dyja vendeve. (A2 Televizion)