
Në Shqipëri jetojnë rreth 1,4 milionë gra, thënë ndryshe, gjysma e popullsisë. Ndonëse statusi i tyre ndër vite është në përmirësim, vijojnë të ecin në rrugën e vështirë të barazisë gjinore. Nuk është sindromë vetëm shqiptare në rajonin tonë. Por sot ka një shembull të fortë për rolin e gruas. Ai vjen nga fronti i luftës atje ku gratë ashtu si burrat dëshmojnë për mundësinë e tyre të kontributit, siç konfirmoi A2 CNN mobilizimin e tyre kundër pushtimit rus.
“Imagjinoni, po të mos ishte për sipërmarrësit dhe gratë që punojnë ditë e natë nën bombardimin rus për të siguruar të gjitha të mirat që u nevojiten civilëve ukrainas ose shndërrimin e magazinave në qendrat e improvizuara të ndihmave humanitare, shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve, nata do të ishte akoma dhe më e errët”, thotë Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Në tregun e punës dhe biznes sipërmarrësja nga Mali i Zi Arijana Mulic tha se hendeku në barazinë gjinore po ndikohet nga mosha “Iniciativat e grave të reja shpesh paragjykohen për shkak të mungesës së eksperiencës. Unë këtyre zërave iu përgjigjem duke thënës e “unë jam ëndërrimtare” dhe kështu që mund të guxoj”, tha ajo.
Kosova ka një recetë që po ndjek për fuqizimin e rolit të gruas: orientimi drejt profesioneve që u mundëson pavarësi ekonomike. “Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Europë. Ne atje po përpiqemi të vajzat e reja t’i orientojmë drejt Teknologjisë së Informacionit. Këtë vit, do të trajnojmë rreth 100 prej tyre. Është një mundësi e mirë për t’i bërë ato të pavarura”, tha Zana Tabaku.
Fuqizimi ekonomik i grave vlerësohet si instrumenti thelbësor në përpjekjet për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor. Vetëm gjysma e grave në Ballkanin Perëndimor janë ekonomikisht aktive, krahasuar me 70 për qind të burrave. (A2 Televizion)