
Shpërthime, të shtëna me armë zjarri dhe sirena alarmi. Ishte kjo situata pasditen e së martës në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok të Kosovës. Policia njofton se fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar dhe se e gjitha ishte bërë për të penguar punën e zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që po organizon votimin e 18 dhjetorit për zëvendësimin e kryekomunarëve në komunat me shumicë serbe. Nga zhvillimet janë dëmtuar zyrat e komisionit komunal zgjedhor në ato zona.
“Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me molotov dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare. Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme”, tha ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
Për incidentet në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Tirana përcaktoi autorët dhe mbështetësit e tyre. “Për fat të keq, sikurse edhe në shumë raste paraprake, situata në veri eskalon për një arsye te vetme, sepse bandat kriminale të përkrahura nga Vuçiq politikisht dhe financiarisht kanë për qëllim eskalimim e situatës, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe rrjedhimisht kanë për qëllim ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe. Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar tonit pavarësisht çfarë etnie”, tha Osmani.
Për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, pasha e fajit për incidentet rëndon nga Kosova. “Gjithmonë vras mendjen se kur do të vijë provokimi i radhës, që do të prishë stabilitetin dhe paqen. Sipas të dhënave, nuk kemi informacione për viktima dhe besoj se është e mundshme që kjo të ketë ndodhur. Nuk e di çfarë po u shkon njerëzve në mendje, që shkaktojnë tensione dhe destabilizim çdo javë. Kemi përpara një periudhë të vështirë, por është e rëndësishme që të qëndrojmë pranë njerëzve tanë dhe të negociojmë për paqe me shqiptarët”, tha Vuçiç.
Incidentet në veri të Kosovës janë konfirmuar për A2 CNN edhe nga vetë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. “Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, tha për A2 CNN Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së së Kosovës. (A2 Televizion)