Sistemi bonus-malus, Ministria e Financave e lë zbatimin në dorën e kompanive të sigurimit

Nga A2 CNN
27 Qershor 2020, 14:34 | Ekonomi
Sistemi bonus-malus, Ministria e Financave e lë zbatimin në dorën

Sistemi bonus-malus, mekanizëm i vërtetuar në Europë që ka dhënë efekte në uljen e numrit të aksidenteve, nuk do të jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar në Shqipëri.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në draftin e ri të ligjit për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, ia lë në dorë kompanive të sigurimit, nëse do ta zbatojnë ose jo këtë sistem.

Mbi 1 vit më parë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e kishte bërë të detyrueshëm zbatimin e tij, me efektet që do të ndiheshin këtë vit, ku drejtuesit e automjeteve që nuk kishin bërë aksidente do të paguanin një prim më të ulët sigurimi dhe ku ata që kishin rezultuar shkaktarë do të paguanin një çmim më të lartë.

Një nga arsyet e lënies së zbatimit me dëshirë nga siguruesit, mund të jetë frika nga rritja e numrit të automjeteve që nuk sigurohen për shkak të kostove më të larta për drejtuesit me historik aksidentesh.

Një arsye që megjithatë mund të zgjidhej nga organi i ri i përcaktuar në ligj, Qendra e Informacionit të Sigurimeve, që lajmëron pronarët e mjeteve në momentin që u skadon policia e sigurimit dhe më pas lajmëron autoritetet nëse ky mjet nuk bën sigurimin e detyrueshme brenda 15 ditëve.

Aktualisht niveli i mjeteve të pasiguruara rezulton të jetë rreth 19% e makinave në qarkullim, një shifër që synohet të ulet në 2% me hyrjen në fuqi të këtij drafti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos