Situata e pandemisë, Kuduzi: Qeveria e paaftë, Serbia siguron vaksinën, ne donim t’i bënim magji sy në sy pronarëve të Pfizer

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2020, 10:33 | Aktualitet

Opinioni publik europian duket në panik për masat e fundit të parandalimit të virusit, ku shumë nga metropolet e kontinentit do të mbyllet, dhe një version i ri i virusit, i identifikuar në Britaninë e Madhe, sjell paqartësi të tjera për muajt në vijim. Ndërkohë, Shqipëria duket e qetë me masat e ndërmarra deri më tani. Për Gazmend Kuduzin, kreun e departamentit të Shëndetësisë pranë Partisë Demokratike, kjo “qetësi” nuk është lajm i mirë për shqiptarët. “Njeriu është i qetë në dy momente, kur i ka marrë të gjitha masat dhe ndihet se e ka situatën në kontroll, ose kur nuk ka bërë asgjë dhe thotë që ajo që ka për të ndodhur, do të ndodhë. Ne jemi në skenarin e dytë”, thotë ai për A2. Sipas tij, “që në fillim vendet e përparuar zbatuan formulën e testimit, sepse në rast epidemia kapja e rasteve është vendimtare. Më pas qasja ishte ajo e testimit gjurmimit dhe trajtim. Këtë ne nuk e kemi bërë, shifrat thonë se kemi numrin e testimeve më të paket në rajon, dyfish më pak se Bosnje- Hercegovina. Ne kemi numër rastesh në rritje, jo në zbritje, faktor tregues që nuk e kemi situatën nën kontroll, sepse nuk kemi zbatuar protokollet e vendeve te tjera”. Edhe vendet e tjera kanë patur kritika, por sipas Kuduzit këto vende çdo vendim, edhe të gabuar ose të vonuar, e kanë marrë në bazë të evidencave shkencore, ndërkohë që në Shqipëri “është politika që ka marrë vendimet, dhe nuk ka marre masat e duhura, nga mos fuqizimi i spitaleve rajonale, mungesa e barnave etj. Planet e qeverisë ngjasojnë me planet 5-vjeçare të kohës së komunizmit, që shkatërruan vendin”. Për sa i përket çështjes së vaksinës, Kuduzi sërish thotë se qeveria është treguar e paaftë, “jo vetëm ndaj vendeve te mëdha si Kanadaja që i ka siguruar 400% të nevojave të tyre, por edhe me Serbinë që i ka siguruar vaksinat, ndërkohë që lideri ynë shkoi në Nju Jork me mendimin që do t’i bënte magji sy në sy kreun e Pfizer, dhe u kthyem duarbosh. Lideri mendon se vendi është pronë e tij private, dhe nuk funksionon si institucion, por me marrëdhënie personale. Në vendet e tjera funksionojnë institucionet, funksionon vetëm Uni”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos