Llalla s’i shpëton dënimit, GJKKO: Të zbatohet vendimi i vitit 2021 me 2 vite burg

Nga Ervin Koçi
16 Nëntor 2026, 11:27 | Kronikë

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk mund t’i shpëtojë burgut, edhe pse kanë kaluar gati pesë vite nga koha kur Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin e tij me 2 vite burg për fshehje të pasurisë në tri raste. Ishte shkalla e parë e GJKKO-së që e shpalli fajtor në maj të vitit 2021, ndërsa në fund të po atij viti masa mbeti në fuqi.

Vendimi nuk u arrit të zbatohej, pasi ish-numri një i akuzës ishte larguar drejt Italisë, ku edhe u ndalua në dhjetor. Drejtësia italiane e la në gjendje të lirë për arsye shëndetësore, pa marrë vendim për ekstradimin e tij në Shqipëri.

Këtë tetor, ai paraqiti në GJKKO kërkesën për shuarjen e dënimit për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar pa u ekzekutuar vendimi, duke pretenduar parashkrimin e ekzekutimit. Pretendimet e avokatit u rrëzuan nga GJKKO-ja, që la në fuqi detyrimin, ndërsa pritet që Llalla ta apelojë vendimin.

Përveç 2 viteve burg, ndaj tij është vendosur edhe konfiskimi i aseteve me vlerë rreth 98 milionë lekë, sipas përllogaritjes së prokurorisë. Ndër pronat që kanë kaluar në pronësi të shtetit janë një apartament prej rreth 67 m² në Durrës dhe katër sipërfaqe toke me një sipërfaqe totale prej 22 mijë m² në Tiranë.

Hetimet ndaj tij për pasurinë nisën në vitin 2018, vit në të cilin u përfshi edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos