Hysaj, rikthimi i madh! Nga asistet te golat, përgjigjja ndaj të gjithë skeptikëve

Nga Dea Kozma
16 Nëntor 2026, 12:13 | Futboll

Hysaj, rikthimi i madh! Nga asistet te golat, përgjigjja ndaj të

Mund të jetë pa skuadër prej disa muajsh, por Elseid Hysaj po dëshmon se klasi nuk humbet dhe se eksperienca mbetet një armë e fortë. Mbrojtësi kuqezi po kalon një moment shumë pozitiv me Kombëtaren, duke u kthyer në një nga protagonistët e rëndësishëm të skuadrës së Rolando Maranit.

Fillimisht ishte asistues për Rey Manajn në fitoren ndaj Finlandës, ndërsa ndaj Bjellorusisë arriti të gjejë edhe rrugën e rrjetës. Një kontribut ofensiv që tregon se Hysaj nuk është thjesht një element i rëndësishëm në prapavijë, por mund të bëhet vendimtar edhe në fazën sulmuese, shkruan A2.

Paraqitjet e tij kanë marrë vlerësime maksimale, sidomos po të kemi parasysh se prej kohësh nuk është pjesë e një klubi. Shumëkush kishte dyshime për gjendjen e tij fizike dhe vazhdimësinë, por mbrojtësi po i përgjigjet të gjithëve në mënyrën më të mirë: me performancë në fushë.

Ndërkohë, për të mos humbur ritmin, Hysaj stërvitet me Vllazninë, duke ruajtur formën fizike dhe gatishmërinë për të qenë në dispozicion të Kombëtares.

Një mesazh i qartë se eksperienca dhe cilësia nuk zhduken nga mungesa e një kontrate. Hysaj po rikthehet në vëmendje dhe po tregon se ende ka shumë për t'i dhënë fanellës kuqezi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos