Manaj në ndjekje të historisë, vetëm 3 gola larg rekordit të Bogdanit

Nga Dea Kozma
16 Nëntor 2026, 12:07 | Futboll

Manaj në ndjekje të historisë, vetëm 3 gola larg rekordit

Goli ndaj Bjellorusisë ishte shumë më tepër sesa një tjetër realizim për Rey Manajn. Sulmuesi kuqezi vazhdon të shkruajë historinë e tij me Kombëtaren shqiptare, duke shkuar në kuotën e 15 golave dhe duke iu afruar gjithnjë e më shumë majës së listës së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave.

Tashmë vetëm tre gola e ndajnë nga Erion Bogdani, i cili me 18 realizime mban rekordin historik të Kombëtares. Një distancë që Manaj mund ta shkurtojë që në ndeshjet e ardhshme, nëse vazhdon me të njëjtin ritëm dhe efikasitet përpara portës, shkruan A2.

Dhe ajo që e bën këtë objektiv edhe më emocionues është mosha e sulmuesit. 29-vjeç, Manaj ka ende shumë kohë përpara për të vazhduar të kontribuojë për Shqipërinë. Eksperienca, dëshira për të shënuar dhe vazhdimësia në fanellën kuqezi e bëjnë atë një kandidat serioz për të marrë fronin e golashënuesit më të mirë në historinë e Kombëtares.

Bogdani ka qenë për vite me radhë referenca e këtij rekordi, por tashmë Manaj e sheh shumë pranë objektivin. Tre gola larg historisë, Rey Manaj ka një tjetër sfidë personale përpara: të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos