Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndaluar në operacionin policor të koduar “Heshtja”, i cili u realizua më 14.11.2026 në rajonin e Prishtinës. Haraqija është njëri nga personat e ndaluar në këtë operacion antidrogë. Roli i ish-ministrit në rastin që po hetohet ende nuk është i qartë. Sipas burimeve të mediave kosovare, bëhet fjalë për një rast që lidhet me shitjen e sasive të vogla të kokainës në Prishtinë.
Avokati i Astrit Haraqisë, Korab Bokshi, e ka konfirmuar arrestimin e klientit të tij, duke thënë se ai është intervistuar nga Policia dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh”, ka deklaruar Bokshi.
Avokati ka bërë të ditur se Policia ka bastisur edhe banesën e Haraqisë, por sipas tij, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë që do ta inkriminonte atë për veprën penale për të cilën dyshohet.“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. I kanë caktuar masën e ndalimit për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim.”- ka thënë avokati.
Kujtojmë, një grup i dyshuar për trafikim të kokainës është goditur në Prishtinë, ku janë arrestuar 6 persona dhe janë sekuestruar drogë e pasuri në vlerë rreth 301 mijë euro.
Operacioni i koduar “Heshtja” është realizuar më 14 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të dyshuara të marihuanës, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe substanca të tjera të panjohura.
Po ashtu, janë konfiskuar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, përfshirë euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë. Në mesin e pasurisë së sekuestruar janë edhe 6 vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike.
Sipas vlerësimeve policore, kokaina e sekuestruar mund të arrinte vlerën e rreth 111 mijë eurove në tregun ilegal, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara llogaritet në rreth 301 mijë euro. (A2 Televizion)