
Edhe ditën e sotme ka vijuar lufta e forcave zjarrfikëse me zjarret që janë përhapur nga jugu në veri të vendit.
Edhe me ndihmën e helikopterëve, forcat e emergjencës civile nuk kanë mundur të vinin nën kontroll vatrat kryesore ende aktive, të lokalizuara tashmë kryesisht në veri, nga Kukësi deri në Dibër dhe Mirditë.
Ndërhyrjet kanë shmangur deri metani mundësinë e rrezikimit të qendrave të banuara, edhe pse situata në Blerimaj të Fushë-Arrëzës, veçanërisht në fshatrat Dardhë dhe Kryezi është ende në zhvillim e sipër.
Janë gjithsesi qindra hektarët e djegur tashmë, ku nuk mungon edhe sot djegia e pishave.
Situata është përmirësuar ndjeshëm në Malin e Tërbunit, Pukë, ku zjarri është izoluar në masën 70%, pas punës së forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri të helikopterit holandez.
Vatra e zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz vijon të jetë aktive. Zjarri po përparon drejt majës së Shtrazicës, në kufi me fshatin Dardhë, ndërsa në drejtim të fshatit Kryezi deri tani është mbajtur nën kontroll. Era po favorizon përhapjen me shpejtësi të zjarrit dhe deri tani janë përshkuar 30 ha me shkurre dhe pemë të ndryshme.
Nuk paraqet rrezik për banesat zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë, por situata nga era është përkeqësuar dhe ka zgjeruar perimetrin dhe e bën të vështirë izolimin e tij përmes forcave nga toka. Vijon përhapja në verilindje të fshatit dhe në kufi me bashkinë Mirditë ( në afërsi të fshatit Katund i Vjetër). Deri më tani është përshkuar 30 ha bimësi e ndryshme. Strukturat janë në ndjekje të situatës.
Si pasojë e erës, situata është përkeqësuar në fshatin Thirrë, të Mirditës, ku janë dëmtuar rëndë deri më tani rreth 200 hektarë. Nesër do të vijojë ndërhyrja nga ajri.
Vijon të jetë aktive vatra në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, në Malzi të Kukësit. Situata është përmirësuar disi, por ka ende vatra të vogla në të gjithë malin. Nuk ka rrezik për banesat. Në këtë zonë afër fshatit Shemëri operon helikopteri Çek.
Në jug, zjarri i rënë në një sipërfaqe pylli me pisha në fshatin Gllavë, në Memaliaj, nuk paraqet rrezik për banesa, ndërkohë që terren janë forca zjarrfikëse dhe banorë të zonës. (A2 Televizion)