Situata e zjarreve, vatra aktive në qarqet e Vlorës, Kukësit dhe Korçës

Nga A2 CNN
9 Gusht 2021, 13:28 | Aktualitet
Situata e zjarreve, vatra aktive në qarqet e Vlorës, Kukësit dhe

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike edhe këtë të hënë. Qarqet e Vlorës, Korçës dhe Kukësit vijojnë të kenë ende vatra aktive dhe që rrezikojnë të përhapen më tej.

Në Vlorë mbeten problematika vatrat në Dukat dhe Kocul të bashkisë së Selenicës. Në Dukat, zjarri vijon të mbetet kërcënim për parkun e Llogarasë, dhe gjatë ditës në varësi të kushteve të erës do të ndërmerren edhe operacione nga ajri.

Ndërsa në Kocul të Selenicës, vatrat e zjarrit rrezikuan e puset e naftës, por për momentin vatra raportohet e izoluar.

Në qarkun e Korçës prej dy ditësh janë aktive vatrat e zjarrit në afërsi të Voskopojës në zonën e njohur si Krushovë.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hëne, raportohet një tjetër vatre zjarri në Gjonomadh të njësisë administrative të Voskopojës. Në këtë zonë po ndërhyhet vetëm me forca të ushtrisë pasi për shkak të terrenit mjete e kanë të pamundur të afrohen. Në varësi të situatës do të vlerësohet gjatë ditës edhe ndërhyrja nga ajri.

Prej ditësh, tashmë mbetet aktive edhe vatra e zjarrit në majën e Rrunës pranë tunelit të Kalimashit në Kukës. Me gjithë punën e bërë në këtë zonë, nuk është bërë e mundur vënia nën kontroll e flakëve. Për momentin, në terren ndodhen punonjës zjarrfikës, ato të forcave të armatosura dhe njësisë administrative. Edhe këtu do të vlerësohet gjatë ditës ndërhyrja nga ajri pasi zjarri po drejtohen drejt fshatrave Trull dhe Shemri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos