
Prej afro dy
dekadash në training, një duzinë skuadrash të drejtuara në karrierë, mes të
cilave disa herë në stolin e Dinamos e Vllaznisë. Agim Canaj e njeh shumë mirë
realitetin e futbollit shqiptar dhe përpara një sezoni që rrezikon të dështojë ende
pa nisur, jep alarmin.
“Sot më tepër se kurrë, kur situata ka agravuar në SOS në kuptimin sportiv, nuk
mund të mendohet më për emra, por për ekzistencën e futbollit. Qytetet që kanë
dhënë shumë dhe kanë mbushur stadiumet, gjenden në vështirësi të mëdha dhe
rrezikojnë zhvillimin e kampionatit”, paralajmëron Canaj.
Sipas trajnerit që riktheu Vllazninë në elitë, rënia e një skuadre apo
problemet financiare nuk përbëjnë më emergjencë. Shtyrjet mes borxheve dhe
investimeve që nuk kthehen mbrapsht, nuk mund të vazhdojnë dhe e ardhmja e
futbollit shqiptar duhet vendosur në shina.
“Investitorët duhet të jenë të sigurt. Këtë e jep shteti me parametrat, të
cilët u hodhën si bazë përpara tre muajve e gjysmë nga kryeministri. Duke qenë
se ai është një njeri i sportit, besoj se kjo nuk ka mbetur në letër, por duhet
ndërhyrje emergjente. Me pesë skuadra që rrezikojnë të mos licencohen, futbolli
do të jetë në kaos total. Sot, më tepër se kurrë, ky projekt duhet të marrë
jetë edhe në Shqipëri, sepse do të jetë vonë”, deklaroi trajneri i njohur.
Canaj jep edhe arsyet, përse situata ka degraduar deri në këtë pikë.
“Ka ardhur kulmi i rënies prej ndryshimit të sistemeve, kur pati një zhvillim negativ
të sportit. Projektet kanë qenë gjithmonë afatshkurtra dhe kjo ka bërë që
futbolli të jetë në pikën zero, duke mos bërë asnjëherë, asgjë”, tha për A2 CNN
Agim Canaj. (A2 Televizion)