
Analisti Afrim Krasniqi ka komentuar në “Absolut 4” situatën me Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, ku u shkarkua nga pozicioni i Kryetares Voltana Ademi dhe u emërua Pjerin Ndreu.
Krasniqi deklaroi se që në momentin që gjykata ka lajmëruar një datë për nisjen e procedurës, të gjitha veprimet e tjera nuk kanë vlerë juridike.
“Ajo çfarë dua të komentoj është përpjekja e mazhorancës për të marrë edhe pushtete që nuk kanë sens në demokraci. Shoqata është një OJF, pavarsisht emrit të madh, dhe si e tillë ka rregulla krejt të tjera nga organizmat që funksionojnë për kryetarët e bashkive dhe administrata publike. Si e tillë përpjekja për ta marrë dhe për të bërë skena të tilla, është alarm i madh. Lojë negative, e panevojshme, kosto për Shqipërinë dhe një aventurë që nuk mund të ketë sukses.
Pas reagimit që ne bëmë në atë kohë në studio, Gjykata Kushtetuese të nesërmen reagoi dhe lajmëroi datën e procesit. Që në momentin që gjykata ka lajmëruar një datë për nisjen e procedurës, të gjitha veprimet e tjera nuk kanë vlerë juridike. Edhe nëse shoqata e bën fakt të kryer, së pari nga ana teknike është shumë e komplikuar sepse duhet që vendimi të tyre të kalojë në gjykatë për regjistrim. Së dyti procesi do vijojë në gjykatë nga palët e tjera të përfshira në debat dhe do jetë shumë e vështirë që muajt e ardhshëm të ketë një vendimmarrje të formës së prerë. Së treti ligji për funksionimin, i jep të drejtës Gjykatës Kushtetuese të mos pranojë as kërkesa për tërheqje nëse çështja paraqet interes publik.”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)