Situata mes Serbisë dhe Kosovës, pse u tensionua Veriu dhe si del Vuçiç para partnerëve

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2022, 15:13 | Kosova
Situata mes Serbisë dhe Kosovës, pse u tensionua Veriu dhe si del

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se bllokimi i rrugëve në Veri është lojë e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për të zhvendosur vëmendjen nga zbatimi i planit franko-gjerman për dialogun. Ajo thotë për Kosova Press se me tensionet në katër komunat veriore, Serbia haptazi po shpërfaq ambiciet territoriale ndaj Kosovës, madje edhe përmes një konflikti tjetër të mundshëm.

“Mungesa e guximit të ballafaqohet me atë që është pashmangshëm që do të vijë, qoftë për të apo kushdo tjetër që është në krye të Serbisë: njohja e Kosovës dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje finale për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve. Ai ka gjetur mundësinë që të tërheqë auditin e fundit që e ka në Kosovë përmes manipulimit, gjegjësisht prezencës përmes bandave në katër komunat veriore”, tha Kusari-Lila.

Ky qëndrim, sipas Kusari-Lilës, ia kanë hequr edhe maskën e fundit Vuçiçit karshi BE-së dhe ShBA-së: “Tani edhe zyrtarisht ata kanë deklaruar dhe konfirmuar se do të kërkojnë të sjellin trupat e tyre në Kosovë, duke ditur se tashmë në dekadën e fundit kanë afruar baza ushtarake afër kufirit me Kosovën. Ka pasur vazhdimisht patrullime, deri tek edhe paraqitja e ambasadorit rus në kufi me Kosovën. Kjo nuk është se nuk është ditur apo parë, por nuk është thënë publikisht.

Ajo thekson se plani franko-gjerman për dialogun synon normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: “Synohet normalizim i plotë i raporteve që të hiqen të gjitha pengesat aktuale që janë për Kosovën në rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar. Njohjen nga vendet jo njohëse dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”.

Sa i përket kërkesave të vazhdueshme të aleatëve ndërkombëtarë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kusari-Lila thotë se për këtë temë duhet trajtim i mirëfilltë dhe përmbajtësor.

“Ajo çka është e rëndësishme se ato të drejtat që ia kanë t’i shfrytëzojnë. Gjegjësisht të jenë pjesëmarrës aktivë në jetën institucionale dhe politike, gradualisht të fokusohemi aty se si mbi vlerat e përbashkëta dhe shtetin multietnik të avancojmë vendin. Jo mbi krijimin e mekanizmave që do të tregojnë monoetnicitet, siç është rasti me vetemërtimin asociacioni i komunave serbe”, tha Kusari-Lila.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd deklaroi se duhet të fillohet të bisedohet për çështjen e asociacionit, ndërsa u shpreh kategorik kundër kërkesës së Serbisë për dërgimin e trupave policore e ushtarake në veri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos