
Situata në veriun e Kosovës ka përjetuar edhe sot një ditë të vrullshme, e kulmuar me vendimin e Listës Serbe për të tërhequr përfaqësuesit e tyre nga institucionet e Prishtinës, duke filluar nga efektivët e policisë.
Ndërkohë, në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vucic takoi dy aleatët e saj më të rëndësishëm, përfaqësuesit e Moskës dhe Pekinit.
Vucic takoi fillimisht ambasadorin rus Aleksandar Bocan-Harchenko, me të cilin mësohet se kanë folur specifikisht për situatën në Kosovë.
Presidenti serb ka shprehur shqetësim duke akuzuar Prishtinën për lëvizje të njëanshme, dhe mosrespektim të marrëveshjes së Brukselit.
Sipas mediave serbe, ndërkohë, ambasadori rus ka deklaruar se Serbia vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme paqeje dhe stabiliteti dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe në zbatimin e marrëveshjeve deri më tani”. Takim Vucic ka patur edhe me ambasadoren kineze.
Ndërkohë, reagime diplomatike vijnë edhe nga Brukseli, me saktësisht nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, rumuni Mircea Geoana.
Me anë të një postimi në Twitter, ai njoftoi se mbi situatën në Kosovë kishte folur me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ku paralajmëron se KFOR është e gatshme të ndërhyjë në rast të një përshkallëzimi të dhunshëm.
“Bisedova me Përfaqësuesin Special, Mirsolav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Beogradi dhe Prishtina duhet të përmbahen dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO- KFOR qëndron vigjilent dhe është gati të ndërhyjë nëse rrezikohet situata”, shkruan Geoana. (A2 Televizion)