
Dhurata Çupi, deputete e Partisë Demokratike dhe nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, e ftuar në studion e “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, deklaroi se palët brenda PD-së duhet të lënë mënjanë krenarinë dhe interesat personale, për t’u bashkuar në zgjedhje.
“Jam dakord me skemat politike, por hilet politike nuk shkojnë sepse qytetarët i kuptojnë. Nuk është se shkohet përpara me hile politike. Unë mendoj që të gjitha palët duhet të tërhiqen. Një gjë është e sigurt: nëse ne paraqitemi të ndarë në zgjedhje, i dorëzojmë 61 bashki Edi Ramës. Nuk do të ketë asnjë ndryshim me vitin 2019. Dihen tashmë hilet politike të Edi Ramës, por duke qenë ne të përçarë, ai mund të fitojë edhe me këtë rrënim që ka Shqipëria në qeverisje dhe i jep “kartë” që të thotë se e votojnë shqiptarët”, tha Çupi.
“Mjafton vullneti, të gjitha format janë. Mua më vjen keq që ne artikulojmë vetëm nëpër media. Drejtuesit kryesorë nuk takohen dhe më pas të bashkohemi. Nëse heqim pak krenarinë dhe interesat personale…”, shtoi deputetja demokrate. (A2 Televizion)