Situata në veri, opozita takon Kurtin: Koordinim me aleatët ndërkombëtarë

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2022, 11:26 | Kosova
Situata në veri, opozita takon Kurtin: Koordinim me aleatët

Opozita i kërkon kryeministrit Albin Kurti të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. Tre liderët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku i LDK, Memli Krasniqi i PDK dhe Ramush Haradinash i AAK zhvilluan një takim me kreun e ekzekutivit për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, ku serbët lokalë janë larguar nga të gjitha institucionet në vend.

Pas bisedimeve me Kurtin, kreu i PDK-së fajësoi ato që i quajti vendime të papjekura të qeverisë për situatën në veri dhe tha se Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme për të të ruajtur sovranitetin e vendit.

“Fatkeqësisht s’kemi përgjigje. Sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që qeveria e din se në çfarë rruge ka hyrë dhe sesi të dalë nga kjo situatë, duke e ruajtur territorin e Kosovës. Unë ia shpreha kërkesën e PDK-së, se Kosovës i duhen veprime dhe vendime të përgjegjshme, që e ruajnë sovranitetin e Republikës. Për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së, qoftë në Kuvend apo përmes çdo mundësie qëne e kemi”, u shpreh Memli Krasniqi.

Lideri i LDK-së tha se në takimin me Kurtin nuk ka parë ndonjë plan konkret e as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë. Përballë asaj që e cilësoi se gjendje shumë të rëndë të sigurisë në vend, Abdixhiku theksoi se koordinimi me partnerët e veçanërisht SHBA, është jetik. Lumir Abdixhiku

“Destabilizimi buron nga sjelljet e Beogradit dhe Vuçiçit. Është jetike që Kosova të deklarohet me aleatët e vet. Ne kërkojmë që kjo Qeveri e Kosovës të sigurojë edhe ligjshmërinë edhe aleatët e vet. Sot është akt patriotik që të kërkohet koordinimi me ShBA-në. Nuk ka koordinim të tillë sepse nuk ka një deklarim të tillë. Dhe, i treguam kryeministrit që temën me Serbinë të mos ta bëjmë temë të diskutimit të brendshëm, sepse partitë në këtë pikë janë në një pikë”, u shpreh Lumir Abdixhiku.

Ndërsa Haradinaj u largua para se të përfundonte takimit, veprim që siç tha më vonë përmes një postimi në Facebook, ishte detyruar ta bënte, pasi Kurti nuk i sqaroi përse i kishte prishur raportet me Shtetet e Bashkuara. 

“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, tha Haradinaj.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kurtit që të shtyjë vendimin për targat me10 muaj, por kryeministri vendosi të zbatojë një plan me tre faza që fillimisht parashikon lëshimin e paralajmërimeve, gjobave e më pas ndalim të qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë. Vendimi nxiti revoltën e serbëve, të cilët janë njoftuar dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal, gjyqësori, policia, si dhe nga qeveria dhe kuvendi i Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos