
Rritja me ritme të shpejta e infektimeve si dhe shfaqja e varianteve të reja të koronavirus ka nxitur Ministrinë e Shëndetësisë të rrisë kapacitet në Institutin e Shëndetit Publik.
Gjatë vizitës në laboratorin e referencës në ISHP, ministrja Manastirliu njoftoi shtimin me 30 për qind të kapaciteteve testuese si dhe rinovimin e aparaturave.
“Jemi në një situatë ku incidenca vlerësohet e rritur. Përpara dy ditësh kemi patur pikun më të lartë ndonjëherë të rasteve të infektimeve, ku siç është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik, mbi 95% e rasteve sot paraqiten me variantin Omicron. Për të përballuar këtë situatë është e nevojshme testimi i shpejtë, testimi i sigurt”, tha ministrja.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, duke ju referuar situatës në të cilën pandemia paraqitet në vend, i vlerësoi si tejet të nevojshme investimet e reja.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm sepse në pikun kur kemi një rritje të numrit të rasteve, ne na shtohen kapacitetet laboratorike përkundrejt diagnozës së shpejtë, përgjigjies në kohë të rezultatit, sigurisht triazhimit të pacientëve dhe izolimit të tyre në kohë. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për laboratorin në drejtim të kapaciteteve të ngritura por edhe në drejtim të ngritjes së burimeve njerëzore”, tha Tomini.
Gjatë vizitës Manastirliu njoftoi gjithashtu se së shpejti do të nisin punimet për rindërtimin e Spitalit Infektiv, ndërsa apeloi sërish qytetarët për kryerjen e vaksinës kundër Covid-19, duke theksuar rëndësinë e dozës përforcuese për uljen e shtrimeve në spitale dhe formave të rënda të sëmundjes. (A2 Televizion)