Skandali me përgjimet, Mitsotakis: Nuk isha në dijeni, reformim i shërbimeve sekrete

Nga A2 CNN
8 Gusht 2022, 17:52 | Bota
Skandali me përgjimet, Mitsotakis: Nuk isha në dijeni, reformim i

Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis tha se nuk kishte qenë në dijeni të faktit se telefoni i liderit të partisë opozitare socialiste PASOK, Nikos Androulakis, ishte përgjuar në vitin 2021, duke u përpjekur të distancojë veten nga një skandal politik në rritje.

Rasti, që doli në dritë javën e kaluar, ka nxitur reagime të ashpra, me partitë opozitare që kërkojnë hetime dhe i kanë quajtur zbulimet si Watergate-in personal të Mitsotakis.

“Ajo që ndodhi mund të ketë qenë e mbështetur në ligj por ishte një gabim. Unë nuk isha në dijeni dhe sigurisht nuk do ta kisha lejuar kurrë”, deklaroi kryeministri grek.

 Mitsotakis njoftoi masa për të shtrënguar kontrollin ndaj operacioneve të shërbimit kombëtar të zbulimit dhe për të rritur transparencën lidhur me praktikat e saj.

 “Do të diskutoj lidhur me propozimet që do të fuqizojnë transparencën në veprimet e shërbimeve sekrete, sigurisht pa e penguar misionin e tyre, duke nisur nga kontrolle me strikte lidhur me survejimin ligjor”, shtoi ai.   

Androulakis, i zgjedhur lider i PASOK në dhjetor të 2021-shit tha të premten se kishte mësuar se bisedat e tij ishin përgjuar nga shërbimet sekrete në fund të 2021-shit. Ai nuk e zbuloi burimin e informacionit.

Të shtunën, Mitsotakis, partia e të cilit përballet me betejën për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm i kërkoi falje rivalit politik. Më herët gjatë ditë, kreu i shërbimit kombëtar të zbulimit Panagiotis Kontoleon, dhe shefi i kabinetit Grigoris Dimitriadis, dhanë dorëheqjen lidhur me rastin.

PASOK është aktualisht partia e tretë më e madhe politike në Greqi pasi Syrizës së majtë. Për dekada ka qenë rivalja kryesore e partisë konservatore Demokracia e re e Mitsotakis. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos