Një tentativë e dështuar për të bërë për vete ish-yllin e Barcelonës dhe tani të Atletico Madrid, Luis Suarez, mund t’i kushtojë shumë drejtuesve të Juventusit por jo vetëm.
Drejtuesi i ekipit, Fabio Paratici, avokatët e Juventusit dhe kreu i Universitet për të Huaj në Perugia janë nën hetim me akuzën e falsifikimit të procedurave për provimet e gjuhës, i nevojshëm për dhënien e nënshtetësisë.
Në shtatorin e kaluar, pak ditë para mbylljes së merkatos së spostuar nga gjendja pandemike, kampionët e Italisë në kërkim të një sulmuesi me eksperiencë ndërkombëtare, tentojnë Luis Suarez. Kampioni uruguaian ra dakord me ekipin bardhezi, por e vetmja pengesë, jo e vogël, ishte mungesa e nënshtetësisë italiane, që e pengon Juventusit ta fusë në listë.

Bashkëshortja e Suarez ka origjinë italiane, kështu që edhe futbollisti mund të aplikojë, edhe pa jetuar asnjë ditë në Itali. Por më parë i duhet marrja e nivelit B1 në provimin e gjuhës italiane.
Edhe pse askush nuk ishte në dijeni për aftësitë në italisht të Suarez, ai e mori diplomën lehtësisht, duke kaluar testin jo të thjeshtë.
Transferimi nuk u krye më, dyshimet mbetën dhe tani Prokuroria e Torinos mendon se ka prova të mjaftueshme se drejtuesit e Universitetit, që u pezulluan paraprakisht për 8 muaj, e kanë lehtësuar së tepërmi provimin, duke i kaluar madje futbollistit pyetjet dhe përgjigjet.
Çështja Suarez shkaktoi polemika të panumërta qysh në fillim, nga momenti që dhënia e nënshtetësisë në Itali është zakonisht një proces i gjatë të paktën një dekadë, dhe që janë mijëra persona nga gjeneratat e dyta të lindura në atë vend që nuk e kanë ende pasaportën.
Duke parë performancën e mirë të spanjollit Morata, me siguri Juventusi u pendua për “idenë” Suarez. (A2 Televizion)