
Suksesi në Ligën e Kombeve dhe ngjitja në Ligën B ishte maksimumi që Edi Reja mund të bënte prej marrjes së drejtimit të përfaqësueses shqiptare, e cila tashmë e ka zhvendosur fokusin tek eliminatoret e Kampionatit Botëror.
Një pjesë të emocioneve për këtë sukses, por edhe për aventurën e radhës, që e pret Kombëtaren kuqezi, trajneri italian e rrëfeu në një intervistë për FIFA-n. Veterani i stolit të përfaqësueses nuk nguron të rrisë entuziazmin dhe besimin se Shqipëria, me një dorë edhe nga fati i goglave, mund të përsërisë ëndrrën e kualifikimit në një turne edhe më madhor se kampionati Europian.
Kemi treguar se jemi një grup konkurrues. Qëllimi ynë është të përmirësohemi sa më shumë. Duhet ta vendosim si objektiv kualifikimin dhe duhet ta bëjmë atë ëndrrën tonë, sepse këto janë ato gjëra për të cilat duhet të besosh plotësisht. Nëse kjo skuadër beson dhe më ndjek, atëherë do të arrijmë gjëra të mëdha. Rrugëtimi ynë do të marrë formë nga shorti, por ëndrrat mund të kthehen në realitet. Nëse ti nuk ke besim, atëherë nuk do të bësh kurrë gjëra të mrekullueshme”, tha Reja.
Shqipëria e cila ndodhet në vazon e katërt të FIFA-s, do të mësojë kundërshtarët që do të ketë në fazën e kualifikuesve nga shorti që do të hidhet më 7 dhjetor në Zyrih të Zvicrës. (A2 Televizion)