Ndërtimet pa leje në Theth, shkarkohen drejtuesit e policisë së Shkodrës

Nga Xhensila Kodra
10 Korrik 2025, 15:18 | Kronikë

Prej dy ditësh Thethi ka qenë kryefjala për shembjen e objekteve pa leje, si dhe për revoltën e qytetarëve kundër vendimit të kryeministrit Edi Rama. Të mërkurën qytetarët pohuan një zëri se punonjësit e policisë u kishin marrë atyre rryshfet dhe i kishin lejuar të ndërtonin në zonë.

Pas këtyre akuzave i menjëhershëm ishte reagimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilira Proda. Në një dalje për mediat, kryepolici njoftoi shkarkimin e drejtorit të policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj dhe të shefit të komisariatit Nik Nikolla. Ndërsa për shefin e stacionit policor në Theth, Edison Gjoka u vendos pezullim nga detyra dhe hetim disiplinor për shkelje të rëndë.

“Besoj se ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu - pavarësisht denoncimit të bërë nga Policia në prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht  për  këtë rast në mënyrë të çuditshme  Prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi”, tha drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Bashkë me të, nga detyra u pezulluan dhe nisi hetimi disiplinor edhe për inspektorin dhe specialistin e krimeve të Thethit. Në krye të policisë së Shkodrës tashmë është komanduar Gentian Berberi.

Kryepolici Proda paralajmëroi edhe drejtuesit e qarqeve të tjera që do të mbajnë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje.

“Por ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë  apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti”, theksoi Proda.

Në kuadër të planit të masave të ndërmarra për sezonin turistik, Proda u ndal veçanërisht tek parkimet dyshe.

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal”, vijoi Proda.

I qartë dhe i prerë në fjalën e tij, Proda theksoi se shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, zaptime të pronave, bllokime rrugësh, kthim i hapësirave komunitare në parkingje private, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos