"Po dëmtohet turizmi!" Dhoma Amerikane ngre shqetësimin: Shkak mungesa e ujit dhe mbetjet

Nga Marjo Brakaj
10 Korrik 2025, 15:40 | Ekonomi

Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar qeverisë që të marrë masa për të mbrojtur turizmin, i cili po dëmtohet nga probleme të shumta, nga uji i pijshëm që mungon në disa zona, ndotja apo mungesa e stafit të kualifikuar.

Në hartën globale të udhëtimeve, Shqipëria vijon të lakohet si “Perla e Mesdheut”. Por pas imazhit të kuruar të reklamave dhe pamjeve të mrekullueshme nga ajri, realiteti në terren është më kompleks. Turizmi shqiptar po përballet me sfida të vjetra që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura: mungesa e ujit të pijshëm në disa zona, mbetjet e pa-menaxhuara që shpesh digjen hapur, dhe ndotja që nuk fshihet dot nga sytë e pushuesve të huaj.

“Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete.”

Turistët vijnë për diellin, detin e ngrohtë … por shpesh përballen me një shërbim të ftohtë. Në një industri ku detaji bën diferencën ngre shqetësimin Dhoma Amerikane e Tregtisë, mungesa e stafit të trajnuar po kthehet në pikën më të dobët të turizmit shqiptar.

“Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit.”

Turizmi është kthyer në një motor të rëndësishëm për ekonominë shqiptare – jo vetëm për bizneset e mëdha, por edhe për mijëra familje që mbajnë jetesën nga sezoni veror. Por ky motor rrezikon të zhurmojë më shumë sesa ecën, nëse institucionet nuk reagojnë me kohë.

“Me dëshirën e mirë për të kontribuar në zhvillimin e një sektori prioritar për vendin, ne kërkojmë vëmendjen e Qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse për t’i adresuar këto problematika, duke ndihmuar kështu jo vetëm bizneset, por edhe fuqizimin e këtij momentumi pozitiv për imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje.”

Ndërkohë që valët përplasen në breg dhe dielli shkëlqen mbi plazhet e zbrazëta nga shezlongjet e hequra e ndërtime pa leje, Shqipëria ka nevojë për një plan të qartë dhe veprime konkrete. Jo vetëm për të ruajtur bukurinë e jashtme, por për të ngjallur edhe besimin e vizitorëve dhe të banorëve në të ardhmen e turizmit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos