23-vjeçari në Mat u mbyt me litar, policia merr në pyetje 4 persona të dyshuar si autorë të krimit

Nga A2 CNN
10 Korrik 2025, 15:29 | Kronikë

Policia e Matit ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, që u gjet i pajetë në afërsi të liqenit të Shkopetit. Të shoqëruarit janë persona që më herët kanë pasur konflikte me viktimën.

Gjatë marrjes në pyetje ata kanë mohuar të kenë të bëjnë me ngjarjen duke deklaruar se debatet që kishin me 23-vjeçarin i kishin mbyllur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit. Pasi u morën në pyetje për disa orë, ata u liruan nga policia, por pavarësisht kësaj do të vijojnë të mbahen në vëzhgim si persona të dyshuar të krimit.

Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar. Dyshohet se i riu pasi është mbytur me litar, autorët e kanë hedhur me mjetin e tij në liqenin e Shkopetit, por trupi ka dalë jashtë makinës pa përfunduar në ujë.

Për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë territorit shqiptar.

Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij, ku dyshohet se ishte përfshirë me një grup personash që merreshin me kultivimin e kanabisit. Ndërkohë, në vendin tonë 23-vjeçari nuk ka precedentë të theksuar kriminalë, por ka qenë i dyshuar dhe hetuar për vjedhje banesash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos