
Në emisionin e radhës së A2 Business është diskutuar mbrëmjen e së mërkurës rreth skemës së re të qeverisë për fermerët për përfitimin e naftës pa akcizë.
Që prej 15 janarit, fermerët e pajisur me NIPT mund të aplikojnë për të përfituar naftën falas, sipas skemës së re të lancuar pak kohë më parë nga kryeministri.
Zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci deklaroi në këtë emision se nga kjo skemë është parashikuar të përfitojnë rreth 47 mijë fermerë, por që më pas ky numër mund të arrijë në 60 mijë për shkak të kërkesës që mund të ketë dhe nga ata që ende nuk janë të formalizuar.
Gjeci e vlerësoi skemën duke thënë se ajo është përdorur dhe në shumë vende të tjera dhe është shumë e suksesshme.
“Iniciativa për subvencionet e naftës është një nga nismat në mbështetje të bujqësisë. Bëhet fjalë për një fond rreth 1 miliardë lekë të reja. 47 mijë ka qenë përllogaritja e parë e fermerëve të pajisur me NIPT, por ne pretendojmë që gjatë zbatimit të kësaj skeme do të ketë dhe një rritje të kërkesës, e cila do të çojë në formalizimin e fermerëve. Dhe në fund janë llogaritur rreth 60 mijë fermerë të cilët do të përfitojnë. Për sa i përket çështjes përse gjysma dhe jo e gjithë pjesa totale e subvencionit është një nga skemat që funksionon dhe në vendet e tjera të Europës, ne e kemi aplikuar te peshkimi me të njëjtat parametra dhe ka qenë një skemë e suksesshme.
Kjo skemë e zhvesh naftën nga pjesa e akcizës sepse nafta blihet dhe nuk është falas. E rëndësishme është që fermerët gjysmën e sasisë së naftës që është e domosdoshme që ata të përdorin për rritjen e prodhimit do ta marrin falas”, u shpreh Gjeçi.
Eksperti për Bujqësinë, Ervin Resuli e përshëndeti skemën e re të qeverisë, por sipas tij nga ajo përfitojnë vetëm fermerët e saj dhe shifrat e përfituesve janë shumë herë më të ulëta, duke marrë parasysh dhe aplikuesit e deritanishëm.
“Nisma mbetet për t’u përshëndetur, por ajo nuk ka infrastrukturën e duhur për t’u zbatuar me përpikmëri. Sasia është e pamjaftueshme për fermerët tanë. Fermerët e mëdhenj u vjen një farë ndihme, ndërsa të vegjlit jo. Më interesantja është që jemi para një viti elektoral dhe qeveria e ministria janë mjaftuar me nismën. Mua më duket një numër i madh ai i përfituesve. Deri tani kanë aplikuar rreth 450 fermerë. Një shifër e papërfillshme”, tha Resuli. (A2 Televizion)