Abuzimet në tendera, përjashtimi i konkurrencës zhduk mundësinë për kursim

Nga A2 CNN
14 Janar 2021, 15:04 | Ekonomi
Abuzimet në tendera, përjashtimi i konkurrencës zhduk

Pazaret dhe shkeljet me tenderat publikë po kryhen sot në përmasa shumë të mëdha nga institucionet publike. I këtij mendimi është eksperti për ekonominë, Pano Soko, që fajëson mungesën e kulturës së ndëshkueshmërisë si elementin kryesor që nxit këtë sjellje.

Arma kryesore e përdorur në paracaktimin e fituesit, sipas Sokos, janë kriteret teknike, që hartohen në mënyrë të tillë për të eliminuar konkurrencën.

Shembulli që nxjerr në pah abuzimin e lartë në sistem janë tenderat që zhvillohen për projekte të financuara nga institucionet e huaja, siç mund të jetë BERZH, KfW, Bashkimi Europian, etj.

Këto janë tenderat e fundit për ndërtimin e rrugëve nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, që vendos kriteret e veta për pjesëmarrjen në garë. Raporti midis fondit limit të vendosur në çeljen e tenderit, me ofertën fituese është në të gjitha rastet 95% deri në 97%, duke mos kursyer thuajse asgjë nga paratë e taksapaguesve.

Ndërsa, këto janë tenderat e fundit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që i bindet kritereve të caktuara nga financuesi i huaj. Këtu shfrytëzimi i fondit limit varion nga 46% në 57%, që do të thotë se praktikisht me paratë e një rruge, ndërtohen dy të tilla.

Abuzime të tilla me tenderat sipas ekspertëve dhe raporteve të institucioneve zyrtare si KLSH, fatkeqësisht nuk janë endemikë për fushën e ndërtimit të rrugëve, por ndodhin në çdo shpenzim për punë, mallra apo shërbime që qeveria kryen në emrin tonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos