
Ndërsa rastet e infektimeve me covid-19 dhe ato të vdekjeve si pasojë e këtij virusi po rriten dita-ditës, edhe spitali rajonal i Elbasanit është në gatishmëri për t’u kthyer në një spital i dedikuar “covid”, siç janë kthyer tashmë spitalet rajonale të Shkodrës dhe Vlorës.
Bashkia e Elbasanit renditet ndër bashkitë me numër të lartë personash aktive të infektuar me covid-19. Nga të dhënat më të fundit në Elbasan, numërohen çdo ditë 30-35 persona të rinj të infektuar, ndërsa ne total janë 1145 persona aktive.
Natyrisht, shifrat reale janë më të larta, pasi janë me dhjetëra të tjerë personat që nuk paraqiten për të bërë tampon dhe nuk figurojnë në listën e personave që rezultojnë pozitivë.
Ndërkohë, aktualisht në spitalin rajonal të Elbasanit, vijnë çdo ditë rreth 20 persona që kërkojnë ndihmë në urgjencë, me shenja dhe të dyshuar si të infektuar. Ndërsa të shtruar në pavijonet e spitalit janë vetëm 2 persona që po marrin trajtim për covid-19. (A2 Televizion)