Skenari pas dhunës, humbje në tavolinë ose heqje pikësh, falsifikimi kampionatit

Nga A2 CNN
27 Maj 2023, 10:51 | Futboll
Skenari pas dhunës, humbje në tavolinë ose heqje pikësh,

Masat e përkohshme të Disiplinorit pritet të shoqërohen edhe me dënime konkrete për Tiranën. Kryeqytetasit rrezikojnë humbjen në tavolinë përballë Bylisit, ose heqjen e pikëve në renditje për shkak të dhunës së tifozëve ndaj arbitrit Kridens Meta. Vendimi duhet të vijë përpara ndeshjeve të së hënës, që shënojnë edhe mbylljen e Kategorisë Superiore dhe japin verdiktet e sezonit. Por nëse Tirana dënohet me humbjen e ndeshjes apo heqjen e pikëve, do të ndikohej vetë besueshmëria e kampionatit.

Ky skenar do të bënte që java e fundit e sezonit të mos kishte vlerë në garën për titull, sepse me dënimin e Tiranës, Partizani do të ishte matematikisht kampion. Kjo do të ndikonte që në sfidën e fundit me Teutën, të kuqtë të mos angazhohen maksimalisht, duke bërë që durrsakët ta kenë shumë të thjeshtë arritjen e vendit të katërt dhe pjesëmarrjen në kupat e Europës.

Efekti domino nga dënimi i Tiranës, do të ndikonte edhe në garën për mbijetesë. Nëse bardhebluve u heqin pikë dhe renditja mbetet kështu si është, Erzeni do ta kishte të lehtë të fitonte ndeshjen e fundit me kryeqytetasit, duke vulosur rënien e Bylisit nga kategoria. Praktikisht, nga fati i Tiranës, varet fati i të gjithë sezonit.

Precedentët për dhunën ndaj arbitrave janë të ndryshëm. Laçit në vitin2011 iu hoqën 6 pikë, ndërsa Kamza në vitin 2019 u përjashtua. Të njëjtin fat pati edhe Shkumbini në sezonin 2019-2020, ndërsa në vitin 2020 Delvina humbi ndeshjen në tavolinë dhe luajti për gjysmën e mbetur të kampionatit pa tifozë. Çdo dënim i Tiranës që do të shkonte përtej zhvillimit të ndeshjeve pa tifozë dhe dënimit të fushës, efektivisht do të falsifikonte kampionatin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos