
Posti i presidentit po thellon gjithnjë e më shumë përçarjet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Albin Kurti kritikoi vendimin e Isa Mustafës për të thirrur Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, ndërsa e konsideroi atë zhvillim kyç lidhur me arritjen e dakordësisë për bashkëqeverisje.
“Mbetet të shihet sot pasdite se kjo mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së a është thirrur për të betonuar qëndrimet me kërkesat e njohura tashmë apo është thirrur për ta arritur marrëveshjen mes nesh”, deklaroi Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë tashmë se nuk dëshiron ta përfshijë postin e presidentit në marrëveshjen për bashkëqeverisje. Por LDK kërkon ndarjen e atij funksioni si garanci kundër ndonjë rrëzimi të mundshëm të ekzekutivit të ardhshëm që pritet të ndërtohet mes palëve.
Partia e Isa Mustafës ka pranuar që Kurti të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, por në këmbim kërkon drejtimin e Kuvendit dhe postin e Presidentit. Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm nga LDK pengon mbajtjen e negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kurti bëri me dije se do të marrë dakordësinë e brendshme për qeverisjen me LDK vetëm pasi të jetë arritur marrëveshja finale. (A2 Televizion)