Sot konstituohet Parlamenti i Kosovës, mungon marrëveshja për Qeverinë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2019, 10:51 | Kosova
Sot konstituohet Parlamenti i Kosovës, mungon marrëveshja për

Seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës mbahet sot, por marrëveshja për bashkëqeverisje mes lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duket ende e largët.

Përmes një videomesazhi në rrjetin social Facebook, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, pohoi se partia e tij dhe ajo e Isa Mustafës nuk u dakordësuan dot për koalicionin qeverisës në prag të konsituimit të Parlamentit, me postin e presidentit që vazhdon të jetë një pengesë.

Sipas tij, Vetëvendosje ishte e vetmja që kishte bërë kompromise, por posti i presidentit sipas tij duhet të diskutohet në një moment të dytë.

https://a2news.com/2019/12/25/mustafa-nuk-kane-deshtuar-negociatat-por-strategjia-e-vetevendosjes/

“Oferta ime e parmbrëmshme e datës 23 dhjetor 2019 u refuzua. Ajo kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Dihet se LVV si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK i takon nënkryetari i dytë. Le të bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë dhe kësisoj LDK e ka kryeparlamentarin dhe LVV i ka dy nënkryetarët e Kuvendit”, tha ai.

Pas tij ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në një postim në Facebook ai thotë se negociatat nuk kanë përfunduar, edhe pse sipas tij nuk kanë qenë të lehta. Lëvizja Vetëvendosje sipas tij, i ka shpërfillur rregullat për të cilat ishin dakordësuar.

https://a2news.com/2019/12/25/nuk-ka-marreveshje-per-qeverine-e-re-ne-kosove/

 “Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë. Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t'ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë. Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore”, u shpreh Mustafa.

Në mungesë të marrëveshjes ndërmjet dy partive të cilat kanë dalë të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, në seancën që do të mbahet në orën 15 pritet të bëhet vetë betimi i deputetëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos