Champions League ka marrë formën përfundimtare pas ndeshjeve të fundit të fazës “playoff”. Ajax, Clube Brugge dhe Slavia Praga janë tre skuadrat të cilat arritën kualifikimin duke plotësuar 32 skuadrat që do të formojnë grupet.
Kampionët e Holandës kaluan qipriotët e Apoel me rezultatin e përgjithshëm 2-0. Belgët e Brugge avancuan më tej falë suksesin ndaj austriakëve të Linz ndërsa surpriza e këtij edicioni është kualifikimi i skuadrës çeke, Slavia Praga. Sot në orën 18 në Monako, do të hidhet shorti që do të projektojë grupet për edicionin 2019-2020. Në vazon e parë ndodhet fituesit e kampionateve më të forta europiane, ndërsa bie në sy rënia e Realit të Madridit në vazon e dytë, por edhe Interit në vazon e tretë. Dy kundërshtarë që nëse shorti do t’i vendosë bashkë, do të formonin “grupin e ferrit” dhe do të ishin rivalë të vështirë për këdo nga skuadrat e vazos së parë. (A2 Televizion)
