SPAK dërgon për gjykim çështjen e ish-zv.ministres, Rovena Voda

Nga A2 CNN
13 Janar 2022, 15:47 | Kronikë
SPAK dërgon për gjykim çështjen e ish-zv.ministres, Rovena

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë kanë përfunduar hetimet për procedimin penal në ngarkim të ish-zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda, dhe e ka dërguar për gjykim çështjen.

Voda akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu. Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”, thotë SPAK në një njoftim për mediat.

Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas dosjes hetimore, në cilësinë e zv.ministres së Brendshme, Voda ka përfituar 1 mijë euro, një aparat telefonik celular dhe një arkë peshk nga dy persona, me qëllim punësimin e Florida Beut.

Përmes avokatit të saj, Voda ka deklaruar në verën e vitit të kaluar, kur u la në burg deri në nisjen e gjykimit, se nuk kishte kryer ndonjë shkelje, por ka respektuar detyrën dhe ligjin. “Nuk kam kryer ndonjë shkelje ligjore apo ushtrim ndikimi. Kam respektuar në mënyrë rigoroze ligjin në ushtrimin e detyrës. Nuk ekzistojnë kushtet për caktimin e masës. Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar apriori vetëm kërkesën e prokurorisë. Është i gabuar qëndrimi që rreziku për të shkatërruar provat apo për t’u larguar është prezumuar. Në çdo rast duhet të vërtetohen të gjitha pretendimet e prokurorisë për këto fakte e rrethana”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos