“Spiunonte” muxhahedinët, SPAK kërkon 15 vite burg për iranianin e akuzuar për “terrorizëm”

Nga A2 CNN
12 Tetor 2022, 10:47 | Kronikë
“Spiunonte” muxhahedinët, SPAK kërkon 15 vite burg

Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës të dënojë me 15 vite burg një iranian të mbërritur në Shqipëri si pjesë e grupit të muxhahedinëve, por që më pas dyshohet se planifikoi akte terroriste kundër tyre. Dënimi u kërkua për të pandehurin 45-vjeçar, Bijan Pooldrag.

Sipas prokurorit të posaçëm Vladimir Mara, Pooldrag duhet të fajësohet për pesë vepra penale, mes të cilave “organizatë terroriste” dhe “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkoi përfundimisht dënimin e tij me 10 vite burg. Gjykimi ndaj Pooldrag në Gjykatën e Posaçme nisi si një proces i hapur për publikun, por në seancave vijuese gjykata mbylli dyert. SPAK kërkoi izolimin me argumentin e të dhënave sekrete në dosje, publikimi i të cilave mund të dëmtonte hetime paralele. Sipas hetimit të SPAK, Pooldrag mbërriti në Shqipërisë pjesë e grupimit MEK, opozitës iraniane në ekzil.

Në vitin 2018 ai ka dalë nga kampi ASHRAF3 në Manzë për t’u vendosur në një shtëpi me qira në zonën e “5majit” në kryeqytet. Në këtë periudhë, referuar hetimit, ai ka vënë kontakte me dy agjentë të shërbimit sekret të Iranit, të cilave iu ka përcjellë fotografi, vendndodhjen dhe informacion mbi kampin “Ashraf3”.

SPAK i tha gjykatës se komunikimin e ta e ka realizuar përmes aplikacionit “Telegram” përmes aparatit telefonik të një vajze që kishte njohur panë vendit ku banonte, por pa dijeninë e saj. Po sipas SPAK, ai kishte marrë udhëzime për kryerje aktesh terroriste ndaj personave të rëndësishëm të kampit dhe për këtë duhet të siguronte një armë zjarri dhe të paguante një grup kriminal për ta kryer. Bijan Pooldrag u arrestua në tetor të vitit 2020, ndërsa në vijimësi ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos