
Altin Dumani është drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme të SPAK. Teksa KLP votoi për kreun e ri të SPAK prezente në sallë ishte edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila e justifikoi ardhjen e saj me rëndësinë e procesit. Ndërkohë, debati politik mbi SPAK duket më i ndezur se kurrë, me Sali Berishën që e ka cilësuar si “sektor i PS-së”.
Në zgjedhjen e Dumanit ishte e pranishme edhe ambasadorja Yuri Kim, e cila mbërriti në godinën e Polit të Drejtësisë vetëm gjatë intervistimit të kandidatit të tretë, Edvin Kondili. Ky kandidat mori 4 vota ndërsa kandidati tjetër, Adnan Xholi mori vetëm 1 votë.
Kryeministri Edi Rama komentoi emërimin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. “Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e “skapjen” e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete!”, shkroi Rama në Twitter.
Por nuk ka munguar as reagimi i ashpër i Partisë Demokratike. Sipas PD-së, prej krijimit të saj "SPAK ka patur në dorë dhjetëra skandale, të cilat ose janë hetuar nga bishti ose nuk janë prekur fare. Një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale. Me këto fakte të pakundërshtueshme, SPAK është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste”. (A2 Televizion)