Spanja i shpall “luftë” racizmit, me ligjin e ri policia mund të pezullojë ndeshjet në La Liga

Nga A2 CNN
4 Korrik 2023, 10:22 | Futboll
Spanja i shpall “luftë” racizmit, me ligjin e ri policia mund

Pas rasteve të përsëritura me thirrje raciste përkundrejt brazilianit Vinicius Jr. dhe incidentit të rëndë në sfidën Valencia-Real në maj, Ministria e Brendshme spanjolle ka vendosur masa drastike për të luftuar fenomenin.

Deri më sot, 3 korrik, në rast të evidentimit të episodeve raciste, apo çdo diskriminimi tjetër seksual, racor apo politik, i takonte arbitrit që të vendoste pezullimin e pjesshëm ose përfundimtar të një ndeshjeje.

Rregulli në fuqi përkon me atë të miratuar nga FIFA pesë vite më parë, në vitin 2017, dhe që Federata Iberike e Futbollit e ka bërë të sajën.

Por, tani gjithçka ndryshon pasi policia gjithashtu mund të vendosë të pastrojë një sektor të stadiumit në kuadër të rregullave të përcaktuara në protokollin e ri kundër racizmit në Spanjë.

Në fakt, sipas direktivës së re ministrore, në të cilën gazeta madrilene El Pais ka pasur akses , theksohet se do të jetë komanda e forcave të policisë në shërbim në stadiume apo arena ajo që do të vendosë se çfarë do të bëjë.

Në Spanjë është pezulluar në vitet e fundit vetëm një ndeshje, ndeshja e Serie B ndërmjet Rayo Vallecano dhe Albacete në dhjetor 2019. Arsyeja ishte se tifozët vendas (të njohur si ekstremistë të majtë) shpërthyen kundër sulmuesit të Albacete-s, ukrainasit Zozulia, i cili ishte fotografuar disa herë me simbole ultra të djathtë.

Anasjelltas, për shkak të racizmit, asnjë ndeshje nuk është pezulluar më parë.

Çfarë ka ndryshuar tani?

Çështja Vinicius e shtyu qeverinë spanjolle të ashpërsonte legjislacionin.

Me ofendimet ndaj brazilianit në ndeshjen Valencia-Real Madrid më 21 maj, La Liga “zbuloi” racizmin. Thënë kështu, sipas protokollit të ri, forcat policore të pranishme në ambientet ku luhen sporte të ndryshme do të kenë më shumë fuqi vendimarrëse.

Do të jetë në dorën e tyre të vendosin nëse do të pezullojnë (pjesërisht ose përfundimisht) një ngjarje sportive, si dhe zbrazjen e pjesshme ose të plotë të një sektori ose të të gjithë stadiumit ose arenës në rast konstatimi të racizmit.

Gjithçka do të menaxhohet nga figura e Koordinatorit të Sigurisë, e krijuar në vitin 2007 me miratimin e Ligjit kundër dhunës, racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës në sport dhe që kishte mbetur disi në hije deri më tani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos