Vitin e shkuar, në një bilanc të kulturës mund të flisnim për shumë tema. 2018 kishte si betejë kryesore një godinë që i kishte mbijetuar gjithçkaje, ndërtesën e Teatrit Kombëtar, një ndërtesë që i qëndroi stoike edhe goditjeve që vinin nga toka, por që papritur e gjeti veten në një betejë me pushtetin, politikën dhe biznesin që mendojnë ta zhvillojnë qytetin pa gjurmët e një arkitekture dhe historie të ngulitur tanimë në memorien kolektive të këtij kryeqyteti.
Pa diskutim kjo mbetet ende një kryefjalë edhe sot, thuajse 20 muaj pas fillimit të mbrojtjes së tij nga artistët. Në fund të vitit 2019, mund të themi që kjo qëndresë është e para e këtij lloji në historinë demokratike të kulturës.
Mirela Kumbaro në intervistën e fundit si ministre e Kulturës mund të ngacmohej jo vetëm për betejën me teatrin, por edhe për Gjirokastrën që ishte programuar për t’u zhveshur nga kalldrëmi, apo për lahutën që studiuesit serbë e dërguan si elementin e tyre në UNESCO, vetëm sepse dosja jonë flinte në sirtarët e Akademisë së Shkencave. Me Kumbaron një vit më parë lëvizja më e rëndësishme artistike ishte libri. Ishte si një lloj misioni, që këtë vit u zbeh.

Sot, kemi shumë për të diskutuar, për të gjitha gjërat që nuk janë bërë. sot në kulturë kemi vetëm një sukses. Ajo që na ka bërë krenarë ka qenë kinematografia, regjisorët, kineastët dhe aktorët që kaluan kufijtë e një kinemaje që nuk vlerësohet në Shqipëri, por që ka filluar të bëhet mirë.
A2 ka ndjekur festivalin e filmit në Tiranë, Festivalin e Filmit në Ulqin, produksionet e reja që kanë shëtitur në festivale të kategorisë A, fituesit e kinemasë së vërtetë, paçka se në ekranin e artit të shtatë më së shumti publiku kërkon filma komedi si ata që ka realizuar së fundmi Ermal Mamaqi apo aktori Bes Kallaku.
Një nga intervistat më të veçanta të realizuara këtë vit nga A2 ka qenë biseda me aktorin e një kalibri të madh, me Gerard Depardiu, në një produksion kinematografik ku artistët shqiptarë bëhen bashkë me të tillë emra të kinematografisë ndërkombëtare.
E ndonëse merita i takon shqiptarit nga Kosova Arben Kastratit, filmi flet shqip, ndaj edhe renditet si një ndër projektet më të bujshme të kinematografisë shqiptare që pritet ta shijojmë pranverën e 2020-ës.

Pas xhirimeve të Depardiu në Gjirokastër, pak muaj më vonë, “qyteti i gurtë” do të priste të tjerë kineastë. A2 ka rrugëtuar edhe aty, ku rusët po xhirojnë filmin me skenar të Ismail Kadaresë.
Por, filmi që u shit edhe në rrjetet e kinemasë europiane është “A shelter among the clouds”, një produksion i realizuar nga Robert Budina. Është një himn për bashkëjetesën fetare, për normat shoqërore që kërkojnë të dalin mbi atë çka ndjejmë dhe jemi.
Ky film u transmetua jo si konkurrent, por si një përshëndetje artistike edhe në Festivalin e Filmit në Ulqin. Në këtë qytet ku etja për artin që flet shqip është e madhe, filmat tanë janë duartrokitur më shumë se asnjëherë. Kineastët shqiptarë rrëmbyen 4 çmime, mes gjithë produksioneve ballkanike.

Por, mes gjithë këtyre, më i vlerësuar i këtij viti ka qenë “Furgoni” i Erenik Beqirit. Erenik Beqiri është një djalë i ri, i panjohur në televizionet tona, por një mendje e jashtëzakonshme që krijoi filmin me metrazh të shkurtër “Furgoni”.
Kur ky film u prezantua në Tiranë, salla e kinemasë ishte gjysmë bosh, por sot “The van” apo furgoni i Erenik Beqirit është fituesi i disa çmimeve në festivalet më të mirë të botës, përfshirë edhe atë të Kanës. Ai fiton në Sarajevë dhe mund të jetë shqiptari që na çon drejt çmimit Oscar.

Të gjitha këto, kineastët shqiptarë nuk kanë mundur t’i bëjnë vetëm. Gjithnjë e më e vështirë është që të realizosh një film pa bashkëpunime. Erenik Beqiri është bashkëprodhim me Francën, njëlloj si filmi “Unë dhe Milloshevici” dhe shumë të tjerë që këtë vit janë kryefjala e kulturës. (A2 Televizion)