Policia ndërhyri me forcë për të bllokuar disa protestues që kërkonin të hynin në zonat pranë stadiumit në Mexico City, teksa po zhvillohej ceremonia hapëse e Kampionatit Botëror.
Qeveria meksikane konfirmoi se 19 lëvizje shoqërore kishin planifikuar protesta pranë stadiumit gjatë javës së inaugurimit të Kupës së Botës. Protestuesit kërkojnë dialog me qeverinë për çështje që lidhen me pensionet, pagat dhe reformat në sektorin e arsimit, duke hedhur poshtë akuzat se protestat synonin konfrontim.
Në anën tjetër të medaljes, ngjyra e gjelbër doli jashtë fushe. Meksikanët brohoritën ndërsa kombëtarja e tyre shënoi golin e parë në Kupën e Botës, në turneun që po organizohet bashkërisht nga Meksika, SHBA-ja dhe Kanadaja. I njëjti entuziazëm shpërtheu edhe pas golit të dytë, shkruan A2CNN.
Tifozët e futbollit u mblodhën në Fan Zone të Mexico City-t, në sheshin qendror Zócalo, për të ndjekur ndeshjen e ekipit të tyre kombëtar kundër Afrikës së Jugut, në takimin e Grupit A që hapi zyrtarisht turneun.
Përballja e Grupit A shënoi rikthimin në skenën e Kupës së Botës të stadiumit ikonik Estadio Azteca, i cili kishte pritur ndeshje të Botërorit në vitet 1970 dhe 1986. Ndeshja ringjalli gjithashtu kujtimet e takimit hapës të Kupës së Botës 2010, kur Afrika e Jugut barazoi 1-1 me Meksika në Johannesburg.
(A2 Televizion)