
Këtë fundjave nisi dhe faza e katërt dhe e fundit në Kategorinë superiore ku nuk munguan dhe surprizat. Teuta mundi Dinamon e Ilir Dajës në transfertë, për të rihapur garën për "Final Four".
Dinamo hyri në fushë për të ngushtuar diferencën me Partizanin, që i rrëmbeu vendin e katërt, por "Blutë" bënë shumë pak për të rrezikuar portën durrsake.
Ndeshja u vendos nga një gol i Ergis Arifit për Teutën. Pas këtij rezultati, Dinamo e sheh veten vetëm 2 pikë para Teutës dhe 4 pikë larg Partizanit të vendit i katërt, vendi i fundit që të dërgon në "Final Four".
Më herët demat nuk morën më shumë se 1 pikë ndaj Vorës në një ndeshje të mbushur me emocione dhe tension por në fund të 90 minutave gjithçka përfundoi me shifrat 2-2.
Të kuqtë e panë veten në disavantazh të dy golave në pjesën e parë, pasi për Vorën shënoi Luis Felipe dhe Çibuike. Në frymën e fundit të fraksionit të parë ishte Doumbia, që ktheu Partizanin në lojë. Ky i fundit la të kuqtë me 10 lojtarë në minutën e 90-të megjithatë të kuqtë nuk u dorëzuan.
Deri në fund, kryeqytetasit tentuan dhe autogoli i Çibuikes në minutën e 95 i dha një pikë ekipit të Kërnajës.
Me këtë barazim, vendi i katërt në “Final Four” mbetet i të kuqve, ndërsa Vora rimerr vendin e shtatë në renditje me po aq pikë sa Bylisi i vendit të tetë dhe 3 pikë më shumë se Tirana dhe Flamurtari. (A2 Televizion)