Dyshime për spiunazh, Zvicrës i vidhen kompjuterët, Italisë i publikohet formacioni

Nga A2 CNN
27 Qershor 2024, 13:14 | Live Euro 2024

Zvicra do të përballet me Italinë këtë të shtunë në orën 18:00 në kuadër të fazës së 1/8. Por pak ditë para këtij takimi, një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në kampin bazë të zviceranëve.

Federata ka denoncuar vjedhjen e tre laptop-ëve në pronësi të video analistëve të ndeshjeve të kombëtares zvicerane. Lajmi është konfirmuar edhe nga stafi teknik zviceran ndërsa  autoritetet gjermane janë vënë në gjetje të sendeve të humbura.

Vjedhja ka ndodhur në hotelin ku është grumbulluar ekipi kombëtar në Düsseldorf, ndërkohë që lojtarët dhe stafi ishin duke u stërvitur. Tre kompjuterët i përkisnin stafit zviceran që udhëtonte nëpër Gjermani për të analizuar kundërshtarët. 

Jo vetëm tek Zvicra, por dyshime për spiunazh apo tradhti ka dhe te Kombëtarja italiane.

Trajneri Luciano Spalleti ka shpërthyer ndaj gazetarëve se si ka mundësi që formacioni që ai përzgjedh një ditë para ndeshjes zbulohet dhe publikohet në media. Sipas tij, dikush prej lojtarëve që nuk po luan deri tani në këtë europian mund të ketë bërë spiunin.

Dyshimet u rritën dhe më shumë përpara Kroacisë, pasi sërish media ishte informuar për ndryshimin taktik, por në të njëjtën kohe duke ndihmuar edhe kundërshtarin që të merrte masa.

Për këtë arsye në ndeshjen ndaj Zvicrës, Spalleti do të jetë në një heshtje për shtyp deri një ditë para takimit, ku do të zhvillohet dhe konferenca e zakonshme për shtyp. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos