Sot në mbrëmje e gjithë vëmendja e shqiptarëve është në Dortmund, aty ku kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë në Euro2024, atë ndaj Italisë. Kuqezinjtë mbyllën përgatitjet mbrëmjen e të enjtes dhe tani duket se janë gati për tu përballur me kampionët në fuqi të këtij kompetcioni.
Besimi, optimizmi dhe dëshira e madhe që të jenë në gjermani jo vetëm për turizëm por për të dhënë gjithçka dhe pse jo për një surprizë. Trajneri Silvinjo nuk do të bëjë ndryshime sa i përket 11 titullarët që do të hedhë në fushë.
Me skemën e tij të preferuar, 4-2-3-1 , në portë do të jetë Etrit Berisha, përpara tij është Ismajli dhe Gjimshiti, ndërsa nga krahët Mitaj në të majtë dhe Hysaj në të djathtë.
Në mesfushë Asllani-Ramadani ndërsa para tyre vendoset Nedim Bajrami. Sulmi ka tre emra, Seferi dhe Asani nga krahët ndërsa në qendër Armando Broja.
Edhe pse statistikat, historia dhe gjithçka tjetër flasin kundër Shqipërisë, kuqezinjtë e Silvinjos do të provojnë deri në fund ta nisin mbarë eventin më të rëndësishëm sportiv ne kontinent.
Gjithçka është gati, zemra dhe sytë e gjithë shqiptarëve do të jene sot në stadiumin “Singal Iduna Park” në Dortmund në orën 21:00. (A2 Televizion)