17 pikë mund të mos mjaftojnë në Champions, Inter, Milan, Juve e Atalanta kanë në dorë kalimin në “play-off”

Nga Erald Kodhelaj
12 Dhjetor 2024, 12:28 | Futboll

17 pikë mund të mos mjaftojnë në Champions, Inter, Milan,

Edhe algoritmi kompjuterik mund të gabojë ndonjëherë. Kur kanë mbetur për tu luajtur dy ndeshjet e fundit të grupit të përbashkët në Champions, llogaritë e kualifikimit kanë ndryshuar.

Interi, Milani, Juventusi dhe Atalanta janë të gjitha në pozita mjaft të mira për një biletë në fazën “playoff”. Zikaltërit praktikisht e kanë siguruar, kuqezinjtë thuajse, teksa bardhezinjve dhe bluzinjve u nevojitet ende një fitore, edhe pse dy barazime mund të mjaftojnë.

Çështja komplikohet kur bëhet fjalë për tu klasifikuar në “Top 8”, që përkthehet në kalim direkt në 1/8. Që kjo të ndodhë, të gjitha skuadrat italiane duhet të fitojnë dy ndeshjet e mbetura. Për kualifikimin e sigurt nevojiten 18 pikë. E thënë ndryshe, Juventusit dhe Atalanta rrezikojnë, sepse maksimumi që mund të arrijnë janë 17 pikë.

Me Liverpool që kryeson me 18 pikë të plota, vendi i tetë ndahet nga gjashtë skuadra në kuotën e 13 pikëve. Renditja e përcaktuar nga diferenca e golave sheh Arsenal, Bayer Leverkusen, Aston Villa, Inter, Brest dhe Lille. Pikërisht këto dy të fundit, që ishin surpriza e bukur e edicionit, kanë ndikuar në rritjen e stekës.

Gara për kualifikimin direkt është plotësisht e hapur. Edhe pse futbolli nuk është një shkencë ekzakte, në momentin aktual mund të thuhet se 16 pikë nuk do të mjaftonin për të evituar fazën play off. Gjithsesi, kjo varet nga ecuria e emrave si Brest, Lille, Levekusen apo Aston Villa.

Janë pikërisht këto skuadra që e kanë bërë edicionin të hapur dhe emocionues. Nëse ato do të vazhdojnë të befasojnë, shumë nga emrat e mëdhenj të Europës duhet të ndjekin rrugën e gjatë për të vijuar aventurën në Champions. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos