Milani ka hedhur sytë nga Victor Boniface, sulmuesi i Bayer Leverkusen. Pas kërkimeve për të gjetur një qendërsulmues për projektin e ri, drejtuesit kuqezinj kanë vënë në krye të listës së tyre pikërisht nigerianin, duke e kaluar në preferencë ndaj emrave si Hojlund apo Vlahovic. Drejtori sportiv Igli Tare ka kryer kontaktet e para duke provuar ta bindë Leverkusenin të pranojë një marrëveshje.
Boniface, 24 vjeç, ka shënuar 14 gola në sezonin e kaluar nën drejtimin e Xabi Alonsos, duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi titullin në Gjermani. Fillimisht, kartoni i tij vlerësohej rreth 60 milionë euro, por për shkak të dëmtimeve dhe formës jo gjithmonë të qëndrueshme, çmimi i tij është ulur në rreth 40 milionë, shkruan A2 CNN.
Nga Gjermania raportohet se Milani ka dërguar një ofertë zyrtare për ta marrë sulmuesin me formulën huazim me të drejtë blerjeje për afro 30 milionë euro. Klubi gjerman po shqyrton propozimin, ndërsa në kampin kuqezi mbizotëron optimizmi. Vetë Boniface mësohet se ka dhënë miratimin e tij për kalimin në Itali, duke gjetur një akord paraprak me Milanin dhe duke pritur vetëm “dritën jeshile” nga Leverkusen. (A2 Televizion)