Përmbysje dhe kundërpërmbysje. Gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit rezervuan emocione të jashtëzakonshme në duelin e parë ndërmjet Barcelonës dhe Atletico Madrid.
Përballja u mbyll me rezultatin e çmendur 4-4, me spektaklin që nisi prej startit të lojës, shkruan A2. Julian Alvarez shënoi për “Colchoneros” prej minutës së parë, ndërsa në të 6-ën Griezmann dyfishoi rezultatin.
Reagimi i Barcelonës nuk mungoi, me vendasit që rikthyen barazpeshën në harkun e 2 minutave. Pedri në të 19-ën dhe Cubarsì në të 21-ën ishin autorët e golave. Përmbysja e katalanasve erdhi në minutën e 41-të me golin e Inigo Martinez.
Lewandowski në të 74-ën krijoi iluzionin e fitores për ekipin e Hansi Flick, por në fakt asgjë nuk quhej e përfunduar. Llorente pas 10 minutave riktheu Atleticon në ndeshje, ndërsa Sorloth në të 93-ën barazoi rezultatin.
Çështja e kualifikimit për në finalen e Kupës së Mbretit është shtyrë për ndeshjen e kthimit, në “Wanda Metropolitano”, në datën 2 prill. (A2 Televizion)
Barazim i çmendur 4-4 në Barcelona-Atletico
