Barcelona u mposht 1-0 në fushën e Real Sociedad, duke pësuar humbjen e dytë në 13 javë të La Liga-s spanjolle. Një mbrëmje negative për katalanasit pa yllin Lamine Yamal, që u ndikua edhe nga gafa e tmerrshme e sistemit VAR.
Teknologjia e pozicionit jashtë loje gaboi gjithçka në minutën e 15-të, kur blaugranat kaluan në avantazh me Robert Lewandowski. Por rrjeta e sulmuesit u anulua në mënyrë të pabesueshme nga asistenti video i arbitrit, për një pozicion jashtë loje inekzistent.
Maja e këmbës përtej vijës, shkaktoi anulimin e golit. Për më tepër, duhet theksuar se ajo nuk është këmba e Lewandowskit, por e mbrojtësit të Sociedad që e mbulonte nga afër.
Polemikat për atë vendim u kthyen virale. Së pari sepse rrjeta e mohuar ndikoi në rezultatin e ndeshjes, ku Real Sociedad shënoi me Becker, një gol që rezultoi vendimtar duke i dhënë vendasve tri pikët.
Barcelona mbetet në kuotën e 33 pikëve në krye të La Liga-s dhe Reali i Madridit ka shansin që me një fitore ta ngushtojë në vetëm 3 pikë distancën nga vendi i parë.
Pas golit të anuluar të Lewandowskit nisi edhe ironia në rrjetet sociale, për modelin e këpucëve që sipas sistemit VAR përdor sulmuesi i Barcelonës. Duke nisur nga ylli i katalanasve Raphina me një story në Instagram, për të vijuar me videot qesharake që qarkullojnë. (A2 Televizion)
Bie Barça, gafë e tmerrshme e VAR në golin e Lewandowski
