Juventusi i Tiago Motës është ende një kantier ndërtimi edhe pse sezoni i ri i Seria A nis në më pak se dy javë. Cristiano Giuntoli po punon për të kompletuar deri në detaje ekipin dhe teksa më e rëndësishmja për tu zgjidhur është çështja Chiesa, një sulmues mbetet ende për tu gjetur.
Dhe pista që merr zë në orët e fundit për “Zonjën e Vjetër” lidhet me Shqipërinë, pasi Giuntoli ka hedhur sytë nga Armando Broja.
Sulmuesi i Chelseat shihet si një zëvendësues i denjë për serbin Dushan Vlahoviç, duke parë edhe dëmtimin që do ta mbajë gjatë jashtë fushave Arkadiusz Milik.
Dëshira e Juves është të sjellë Brojën me një huazim, por “Blutë e Londrës” duan ta shesin përfundimisht sulmuesin kuqezi.
Deri më tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë e aftë për të kënaqur dëshirat e londinezëve, ndaj kjo i jep shpresë Giuntolit, i cili do të donte një hua me të drejtë blerje në fund të sezonit. (A2 Televizion)