Mbrëmja e sotme do të përcaktojë katër skuadrat e para çerekfinaliste të këtij edicioni në Champions League. Ndeshja që tërheq më tepër vëmendjen është ajo ndërmjet Liverpool dhe Paris Saint Germain.
Në duelin e luajtur në Francë, parizienët dominuan në fushë, krijuan 20 raste përpara portës kundërshtare, por “Reds” ishin pragmatistë duke e fituar minimalisht ndeshjen, shkruan A2.
Padyshim që atmosfera në “Anfield Road” do të jetë në favor të skuadrës së Arne Slot, por cilësia e padiskutueshme e PSG do të ndikojë që beteja për ekipin që do të kualifikohet të jetë e zjarrtë deri në sekondën e fundit.
“PSG është skuadra më e kompletuar me të cilën jemi përballur deri më tani. Edhe Arsenal e Manchester City kanë skuadra të forta dhe diferencat janë të vogla, por intensiteti i parizienëve, i kombinuar me kualitetin që kanë, i bën tejet të vështirë për të luajtur”, tha Arne Slot, trajner i Liverpool.
Ndërsa Luis Enrique, trajner i Paris Saint-Germain, deklaroi: “Kemi vetëm një alternativë: të dalim në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen. Me këtë mentalitet do të luanim edhe nëse nuk do të kishim humbur ndeshjen e parë. Do të luajmë të gjithë në sulm dhe të gjithë në mbrojtje, për të krijuar raste shënimi”.
Inter pret në shtëpi Feyenoord, pas suksesit 2-0 në ndeshjen e parë në Holandë. Zikaltërit janë gati të festojë në “San Siro”, për të mbyllur praktikën e kualifikimit në çerekfinale, aty ku me gjasë do t’i presë Bayern Munich.
Bavarezët nisen nga suksesi 3-0 i ndeshjes së parë në derbin gjerman ndaj Bayer Leverkusen. Edhe pse kalimi i turit duket i hipotekuar, Bayerni ndihmohet nga dëmtimi i Wirtz dhe forma jo optimale e Granit Xhakës.
Në takimin tjetër, Barcelona luan në shtëpi përballë Benfica. Fitorja e komplikuar 1-0 në Portugali i ka vendosur katalanasit në pozita komode, por rivalët nga Lisbona janë gjithmonë të vështirë për t’u thyer. (A2 Televizion)