Sot në mbrëmje do të mësohet dhe finalisti tjetër i Champions League. Paris Saint Germain dhe Arsenal do të zbresin në “Park Des Princes” me synimin e vetëm për të kapur finalen e madhe të Mynihut.
Francezët vijnë me avantazhin e një goli në Londër, megjithatë nuk e kanë siguruar kualifikimin më tej. Një infermieri e mbushur ajo e Arsenalit, si Gabriel, Jesus, Havertz dhe Tomiyasu që janë mungesa të sigurta, ndërsa në dyshim mbeten Calafiori, Jorginho dhe Timber, shkruan A2.
Në anën tjetër, i vetmi që mungon te Parisi është Kimpembe, ndërsa Osman Dembele, është rikuperuar plotësisht.
“E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse kundërshtari është në një pozitë të pafavorshme. Por, duhet të qëndrojmë sa më pranë performancës sonë të ndeshjes së parë dhe të mbetemi besnikë ndaj ideve tona. Dembele është stërvitur me ne për dy ditët e fundit. Do të jetë i gatshëm”, tha Luis Enrique.
Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit, u shpreh: “Llogaritë janë të hapura. Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë. Fitimi i trofeve ka të bëjë me të qenit në momentin e duhur, në vendin e duhur. Mungesat që kemi patur gjatë gjithë kësaj kohë, kanë ndikuar jo pak. Megjithatë, në këto ndeshje, nuk ka vend për justifikime. Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë”.
Ndeshja Paris Saint Germain-Arsenal do të luhet sot në mbrëmje, në orën 21:00. (A2 Televizion)