Emocione të forta, lojë e bukur dhe në fund festë zikaltër. Inter siguroi një vend në finalen e Mynihut, duke mundur Barcelonën në San Siro.
Objektivi i italianëve mbetet trofeu i Champions League, që tani e kanë më afër se kurrë, shkruan A2.
“Urime për Barcelonën sepse janë një ekip vërtet i fortë. Duhet t’i duartrokas djemtë e mi që midis ndeshjes së parë dhe asaj të dytë dhanë dy paraqitje sensacionale. Patëm disa probleme, por me zemër kapërcyem çdo pengesë. Ne treguam cilësitë tona. E njihnim Barcelonën dhe ishim të qartë se çfarë të bënim në fushë, por pa sakrificën e të gjithëve nuk ishte e mundur të bënim të gjitha këto. Jam krenar që jam trajner i kësaj skuadre”, tha Inzaghi.
Rezerva për arbitrimin kishte trajneri i Barcelonës, Hansi Flick.
“Jam i zhgënjyer, por jo me ekipin tim. Djemtë provuan gjithçka. Kështu e ka futbolli. U eliminuam, por sezonin tjetër do të përpiqemi përsëri t’i bëjmë tifozët të lumtur. Interi luan mirë dhe është një ekip i shkëlqyer. Ata mbrohen mirë dhe kanë sulmues të mirë. Nuk dua të flas shumë për gjyqtarin, por çdo vendim 50-50 shkoi në favorin e tyre. Kjo më trishton”, tha Flick.
Barcelona nuk ka kohë për pushim, pasi të dielën do të luajë El Clasico-n me Realin në La Liga, aty ku aktualisht mban kreun me 4 pikë më shumë se “Los Blancos”. (A2 Televizion)